INTERNATIONAL MAARIF SCHOOLS OF KOSOVA - PRISHTINE

  • KLUBI I MATEMATIKËS

    Pjesë e këtij klubi janë nxënësit, të cilët kanë nevojë për të përforcuar lëndën e matematikës. Në këtë klub mundohemi që t’i mbulojmë të gjitha mësimet, të cilat nuk janë kuptuar nga nxënësit gjatë orëve mësimore. Aktivitetet që zhvillohen janë: mësim plotësues, detyra të ndryshme sipas nivelit, lojëra logjike, shikim videosh të ndryshme në lidhje me lëndën, etj.

  • KLUBI I GJUHËS SHQIPE

    Ky klub përfshin nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Në këtë klub organizohen aktivitete të ndryshme shkollore, me ç’rast nxënësit përfitojnë njohuri shtesë rreth gjuhës shqipe. Këto aktivitete gjuhësore i ndihmojnë fëmijët në përmirësimin e drejtshkrimit, të drejtshqiptimit e të drejtleximit në gjuhë shqipe. Po ashtu organizohen edhe aktivitete letrare, me ç’rast fëmijët krijojnë poezi, tregime, ese e përshkrime të ndryshme dhe këto krijime i shfaqin para njëri-tjetrit dhe njëkohësisht gjatë aktiviteteve kulturore, të cilat mbahen brendapërbrenda shkollës sonë.

  • KLUBI I HULUMTUESVE

    Duke e ditur se çfarë njohurish dhe çfarë potenciali kanë nxënësit tanë për botën eksperimentale dhe veçanërisht për mënyrat e qasjes së hulumtimeve shkencore, ne kemi menduar që një klub i tillë do t’u ndihmonte shumë, me ç’rast do ta kenë mundësinë e eksplorimit dhe të nxjerrjes së të dhënave faktike për botën. Në këtë klub atyre u jepet mundësia që t’i shprehin njohuritë e tyre, t’i hulumtojnë dhe t’u qasen në mënyrë fizike eksperimenteve.

  • KLUBI I DRAMËS

    Duke marrë parasysh që ky kurs zhvillohet në gjuhën angleze, nxënësit do t’i përmirësojnë aftësitë e tyre të komunikimit në këtë gjuhë përmes luajtjes së roleve, shkrimit të skripteve dhe të improvizimit. Po ashtu, ata do të bëjnë shprushjen e informacioneve paraprake dhe do të ngrenë nivelin e aftësive të tyre të paraqitjeve skenike, të manipulojnë me lëvizjet trupore dhe me mimikat e fytyrës në mënyrë që të bartin mesazhin dhe emocionet e duhura në kontekst të dramës në fjalë.

  • KLUBI I GJUHËS ANGLEZE

    Në kuadër të planprogramit mësimor të shkollës “Maarif” funksionon edhe klubi i gjuhës angleze, e cila është formuar veçanërisht për nxënës të cilët kanë nevojë për mësim shtesë nga kjo lëndë. Në këtë klub atyre u jepet mundësia që t’i përsërisin dhe t’i përforcojnë njësitë mësimore të zhvilluara në orët e rregullta, varësisht nga fusha në të cilën ata kanë ngecje, qoftë në të shkruar, qoftë në lexim apo edhe në komunikim.

  • KLUBI I PINGPONGUT

    Në shkollën tonë funksionon klubi i pingpongut. Në këtë klub marrin pjesë nxënësit e klasave VI-IX. Klubi i pingpongut organizohet në ambientet e shkollës gjatë kohës së planifikuar për klube. Po ashtu organizohen gara brenda shkollës dhe jashtë saj me qëllim të rritjes së cilësisë së lojës së pingpongut.

  • KLUBI I ARTIT

    Nxënësit e shkollës sonë e zbulojnë dhe e zhvillojnë talentin e tyre nën përkujdesjen e mësimdhënëses së artit Shukrie Sejdiu. Shkolla posedon atelienë e veçantë, në të cilën aplikohen artet, si: piktura, skulptura, vitrazhi, mozaiku dhe fotografia artistike. Gjatë vitit shkollor organizohen ekspozita të ndryshme brenda dhe jashtë shkollës. Po ashtu artistët tanë përkujdesen për rregullimin estetik të ambientit shkollor gjatë programeve të ndryshme kulturore.

  • KLUBI I SHAHUT

    Shahu është shumë më tepër sesa një klub rekreativ, pas lëndëve shkollore. Nëpërmjet lojës së shahut nxënësit zhvillojnë aftësi të nivelit të lartë të mendimit kritik dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve që përmirësojnë vetëvlerësimin, sjelljen dhe performancën akademike, duke përfshirë pjesëmarrjen, notat dhe rezultatet e testimit. Ky klub grumbullon rreth vetes nxënës nga klasa e III - X. Shkolla është e pajisur me teknologjitë e reja për mbajtjen e orëve mësimore. Ky klub shpeshherë zhvillon aktivitete edhe me klube, edhe me individë nga shkollat tjera.